Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv që ndryshon emërtimin e Pentagonit në “Departamenti i Luftës”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të riemërtuar Departamentin e Mbrojtjes në “Departamenti i Luftës”, duke rikthyer kështu emrin historik që ky institucion mbante deri pas Luftës së Dytë Botërore.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Zyrën Ovale. Ky hap pason iniciativat e tjera të Trump për ushtrinë amerikane, mes tyre planet për një paradë ushtarake në Uashington dhe vendimin për të rikthyer emrat e bazave ushtarake që u ndryshuan pas protestave të vitit 2020 kundër racizmit.
Ndryshimi i emrit të një departamenti qeveritar është një proces i rrallë dhe kërkon miratimin e Kongresit. Aktualisht, republikanët gëzojnë shumicën dhe nuk pritet të kundërshtojnë këtë nismë.
Departamenti i Mbrojtjes, i njohur ndryshe si “Pentagoni”, mbante emrin “Departamenti i Luftës” deri në vitin 1949, kur u ndryshua për të reflektuar angazhimin e SHBA-së ndaj parandalimit të konflikteve në epokën bërthamore. Trump ka thënë se ky ndryshim ishte “politik” dhe ka kërkuar rikthimin e termit më luftarak.
Kostoja e këtij vendimi pritet të jetë e lartë, pasi përfshin ndryshimin e logos dhe mbishkrimeve në seli, ndërtesa dhe baza ushtarake në mbarë botën. Vetëm anulimi i procesit të riemërtimit të nëntë bazave ushtarake, i nisur nga administrata Biden, kishte një kosto të parashikuar prej 39 milionë dollarësh.





Comments