top of page
image00001.png

Samiti në Washington: Trump dhe Zelensky diskutojnë për paqen në Ukrainë

Aug 18, 2025
4 min read

Në Shtëpinë e Bardhë po zhvillohet një takim i rëndësishëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka tërhequr vëmendjen e mediave dhe liderëve ndërkombëtarë. Samiti po ndodh në prani të udhëheqësve kryesorë të Evropës dhe të NATO-s, me fokus në të ardhmen e luftës në Ukrainë dhe mundësinë e një armëpushimi.


Ndryshe nga herët e kaluara, atmosfera është dukshëm më e ngrohtë. Dy liderët jo vetëm kanë folur për luftën dhe paqen, por edhe kanë shkëmbyer batuta, gjeste miqësore dhe momente humori që kanë bërë përshtypje te të pranishmit. Nga deklaratat e dhëna deri më tani, Zelensky ka nënvizuar se zgjedhjet në Ukrainë mund të mbahen vetëm në kushte sigurie dhe me një armëpushim të plotë, ndërsa Trump është shprehur se ekziston një “mundësi reale” për t’i dhënë fund luftës.


19:47, 18 Gusht 2025

Zelensky: Jam i hapur për zgjedhje në Ukrainë, por jo gjatë luftës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh se mbetet i gatshëm të zhvillojë zgjedhje në vend, por vetëm në rrethana të sigurta. “Gjatë luftës nuk mund të ketë zgjedhje,” tha ai, duke shtuar se për një proces demokratik dhe ligjor do të nevojitej armëpushim i plotë – në tokë, det dhe ajër.


Presidenti amerikan Donald Trump reagoi me një pyetje ironike që la të paqartë nëse po bënte shaka: “Pra, thua që gjatë luftës nuk ka zgjedhje? Supozojmë se tre vjet e gjysmë nga tani, nëse do të ishim rastësisht në luftë me dikë, nuk do të kishte më zgjedhje?”


Zelensky e priti me humor dhe duke qeshur iu kthye: “Të pëlqen kjo ide?”, duke nënkuptuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane, ku Trump në rrethana normale nuk do të ishte i kualifikuar për t’u kandiduar.


19:44, 18 Gusht 2025

“Dukesh fantastik” – Zelensky merr komplimente për kostumin

Takimi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua në një atmosferë më të ngrohtë dhe miqësore krahasuar me vizitën e kaluar. Reporteri Brian Glenn, i cili në shkurt e kishte kritikuar presidentin ukrainas për veshjen e tij, këtë herë u shpreh ndryshe: “Dukesh fantastik me atë kostum.”


Trump ndërhyri duke theksuar: “Edhe unë i thashë të njëjtën gjë,” dhe kujtoi me humor se Glenn e kishte sulmuar Zelensky-n më parë për stilin e veshjes.


Zelensky iu përgjigj me të qeshura: “E mbaj mend shumë mirë,” dhe shtoi me shaka ndaj gazetarit: “Unë u ndryshova, ti jo – paske veshur të njëjtin kostum si herën e kaluar.”


19:40, 18 Gusht 2025

Një letër nga Olena Zelenska për Melanian

Në një moment të takimit, Zelensky i dorëzoi Trump-it një zarf duke sqaruar se nuk ishte për të: “Nuk është për ju, është për gruan tuaj,” tha ai duke shkaktuar të qeshura. Bëhej fjalë për një letër të shkruar nga bashkëshortja e tij, Olena Zelenska, e adresuar për Zonjën e Parë amerikane, Melania Trump.


19:38, 18 Gusht 2025

Zelensky: Jemi gati për një takim trepalësh me Putinin

Mes pyetjeve të shumta të gazetarëve, njëri prej tyre e sfidoi Zelensky-n nëse do të dërgonte më shumë trupa “drejt vdekjes” apo do të ishte i gatshëm të “rishikonte hartat e vendit”.


Presidenti ukrainas u përgjigj se vendi i tij jeton çdo ditë nën sulme, duke përmendur si shembull tragjik vdekjen e një fëmije së fundmi.


“Ne duhet ta ndalim këtë luftë dhe për këtë kemi nevojë për mbështetjen e SHBA-së dhe Evropës,” tha ai.


Zelensky theksoi se mbështet idenë e Trump-it për të ndalur luftën dhe nënvizoi: “Jemi gati për një takim trepalësh me Putinin.”


19:33, 18 Gusht 2025

Trump: Ka një mundësi reale për paqe

Presidenti amerikan pohoi se ekziston një shans i madh për një marrëveshje që të çojë në fundin e luftës. “Nëse gjithçka shkon mirë sot, do të kemi një takim trepalësh dhe mendoj se ka një mundësi reale për t’i dhënë fund konfliktit,” tha Trump para gazetarëve.


19:30, 18 Gusht 2025

Trump shmang pyetjen: A është ky fundi i mbështetjes për Ukrainën?

I pyetur nëse ky takim sinjalizon fundin e mbështetjes amerikane për Kievin, Trump nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë. “Nuk mund ta them këtë. Nuk është kurrë fundi i rrugës. Njerëzit po vriten dhe ne duam t’i japim fund kësaj. Mendoj se tani kemi një shans të mirë.”

Ai shtoi gjithashtu se beson se edhe Vladimir Putin dëshiron t’i japë fund luftës.


19:19, 18 Gusht 2025

Zelensky falënderon Melania Trump për letrën dërguar Putinit

Gjatë deklaratave në Zyrën Ovale, Zelensky e falënderoi presidentin amerikan për ftesën dhe përpjekjet për paqe, por veçoi edhe një gjest të Zonjës së Parë amerikane. “Faleminderit shumë bashkëshortes suaj, ajo firmosi një letër drejtuar Putinit për fëmijët tanë të rrëmbyer,” tha presidenti ukrainas.


19:19, 18 Gusht 2025

Trump pret Zelensky-n në Shtëpinë e Bardhë

Zelensky mbërriti në Shtëpinë e Bardhë pas liderëve evropianë dhe të NATO-s. Trump e priti personalisht, duke i shtrënguar dorën dhe duke i vendosur dorën mbi supe në një gjest miqësor. Dy liderët buzëqeshën para kamerave dhe më pas u drejtuan për në Zyrën Ovale, ku i shoqëroi edhe zëvendëspresidenti JD Vance.


18:56, 18 Gusht 2025

Liderët evropianë mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë

Shefi i NATO-s Mark Rutte ishte i pari që mbërriti në Uashington, ndjekur nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Pas tyre erdhën kryeministri britanik Keir Starmer, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti finlandez Alexander Stubb.


Në fund mbërritën kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i cili nuk kishte qenë më herët në ambasadën ukrainase me liderët e tjerë për shkak të mbërritjes së vonuar.


17:35, 18 Gusht 2025

Meloni: Nuk ka zgjidhje të lehta për Ukrainën, por ka rreze shprese

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni paralajmëroi se nuk ekzistojnë “zgjidhje të thjeshta” për konfliktin në Ukrainë. Ajo theksoi rëndësinë e samitit të Shtëpisë së Bardhë, duke u shprehur: “Besoj se duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të siguruar paqe dhe siguri për kombet tona. Nuk ka zgjidhje të lehta, por më në fund po shfaqen rreze shprese për dialog.”


Comments


Na kontaktoni:

Faleminderit!

  • White Facebook Icon
  • Instagram

NM Televizion është platforma ku bashkohen mendimet nga kudo: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Ne jemi zëri i çdo individi, duke ofruar informacione të sakta dhe të paanshme në përputhje me sloganin tonë: "No More Fake News".

© 2025 by NM Televizion

bottom of page