Marrëveshje historike për paqen në Gaza, Trump: “Pas 3,000 vitesh erdhi momenti i duhur”

Në një samit historik për paqen në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit për Gazën, duke e cilësuar atë si një arritje që ka kërkuar “3,000 vjet për t’u realizuar”.
“Na u deshën 3,000 vjet për të ardhur deri këtu, a e besoni?”, - deklaroi Trump gjatë ceremonisë së firmosjes, duke theksuar besimin e tij se kjo marrëveshje do të jetë efektive dhe do të sjellë stabilitet në rajon.
Pas nënshkrimit nga Trump, dokumenti u firmos gjithashtu nga liderë të tjerë rajonalë, ndër ta presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi, emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Marrëveshja synon t’i japë fund përplasjeve dhe të vendosë paqen e qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
“Të gjithë janë të lumtur,” - u shpreh Trump në përfundim të ceremonisë, duke falënderuar të gjitha palët për mbështetjen e tyre gjatë procesit të negociatave. Ai shtoi se kishte bërë marrëveshje të mëdha më parë, “por asnjëherë një marrëveshje kaq të rëndësishme sa kjo.”
Presidenti amerikan nënvizoi gjithashtu se parashikimet për një Luftë të Tretë Botërore në Lindjen e Mesme “nuk do të bëhen realitet”, falë këtij armëpushimi.
Ceremonia u mbyll mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve dhe me një ndjenjë shprese për një paqe të qëndrueshme në një rajon që ka njohur dekada konfliktesh.





Comments