top of page
image00001.png

Shqipëria Vendos 2025 – Shqipëria votoi, mbyllen qendrat e votimit


SHQIPËRIA VENDOS 2025
SHQIPËRIA VENDOS 2025

Përditësuar: 19:37, 11.05.2025


19:06 - Përfundon orari zyrtar i votimit


Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në vendin tonë, duke i dhënë fund zyrtarisht procesit të shprehjes së vullnetit politik të qytetarëve në zgjedhjet parlamentare 2025. Me një numër relativisht të ulët të incidenteve, presim që KQZ të japë një raportim akoma më të detajuar dhe të plotë të procesit të sotëm.


Do mësoni në kohë reale të gjitha informacionet që nga pjesëmarrja e deri te procesi i grumbullimit të kutive të votimit, zhvendosjes së tyre dhe më pas numërimit të fletëve.


Duhet theksuar që në përditësimin e fundit sa i takon numrit të qytetarëve që kanë votuar këtë të Diel, nuk përfshihet diaspora.


18:53 - Gati në mbyllje orari i votimit, Rama mbërrin në selinë e PS


Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbërritur në selinë e PS-së. Siç duket Rama ka vendosur të futet në seli pak para se të mbarojë orari zyrtar i votimit, për të pritur tashmë nisjen e procesit të numërimit.


18:48 - U mor nën hetim pas përplasjeve në Vorë, reagon Noka


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka reaguar në rrjetet sociale pasi nisi të hetohet për kanosje/dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje.


Sipas tij, personi me të cilin u përball në Qendrën e Votimit në Vorë është i skeduar për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje si dhe është nipi e shoferi i Albert Xhabaftit.


18:28 - Sa përqind e zgjedhësve votuan deri në orën 18:00


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e saj dhe thotë se deri në orën 18:00 kanë votuar 41% e zgjedhësve.


Të dhënat e KQZ vijnë nga raportimi i 2676 qendra të votimi nga 5225 që janë në total.

Bëhet fjalë për mbi 739 mijë zgjedhës që deri më tani kanë ushtruar të drejtën e votës.


18:01 - “Vlora të votojë deri në orën 22:00”, rrëzohet kërkesa e socialistëve


Partia Socialiste ka parashtruar që të Shtunën në KQZ kërkesën për shtyrje të afatit të votimit deri në orën 22:00 në qytetin e Vlorës.

Kjo për shkak të eventit sportiv “Giro D’Italia” që mund të ketë ndikuar në proces. Megjithatë sot nuk është arritur kuorumi në mbledhjen e Komisionit për ta miratuar këtë propozim. Dy përfaqësuesit e opozitës janë larguar. Franc Nuri tha se Partia Demokratike e ka shprehur mjaft qartë dje qëndrimin e saj.


17:26 - Dy persona të tjerë të arrestuar për fotografimin e votës


Dy persona të tjerë kanë përfunduar në prangat e policisë për fotografimin e votës. Policia bëri me dije se u vu në pranga një 43-vjeçar, banues në Spathar të Librazhdit.


Në pranga ra edhe një 30-vjeçar në Këlcyrë.


17: 25 - Përplasja me qytetarët në Vorë/ Pas kallëzimit të dy votuesve, nisin hetimet për Flamur Nokën


Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pasi komunikimit me Prokurorin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. N, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, për veprën penale “Kanosja/dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.


Procedimi në gjendje të lirë nisi pasi në bazë të kallëzimeve të shtetasve Xh. A., 29 vjeç dhe M. D., 33 vjeç, ky shtetas ditën e sotme, në Vorë, i ka penguar dhe kanosur për të ushtruar të drejtën e votimit.


17:24 - “Çdo raportim do të analizohet thellësisht”, Gonzato tregon pse shkoi në Fier


Në një deklaratë për media nga Fieri, ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato deklaroi se procesi zgjedhor po monitorohet në mënyrë intensive dhe se çdo incident do pasqyrohet në analizën përfundimtare.


16:58 - PD, thirrje qytetarëve të votojnë. Topalli: Mos nënvlerësoni zërin tuaj


Drejtuesja politike e Partisë Demokratike për diasporën, Jozefina Topalli dha një deklaratë për shtyp, ku iu bëri thirrje qytetarëve që të votojnë.


Ajo u bëri thirrje që të mos e nënvlerësojnë zërin e tyre. Sipas saj, sot ata kanë mundësinë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe se kjo mbi të gjitha është edhe përgjegjësi.


16:57 - Silvio Gonzato vizitë në Prokurorinë e Fierit


Ambasadori i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Silvio Gonzato, po zhvillon një vizitë në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Fierit.


Nuk dihet ende nëse kjo vizitë e Gonzatos lidhet me incidentet në disa prej qendrave të votimit në Fier.


Kujtojmë sakaq se Gonzato ndodhej dhe në Durrës nga ku u shpreh se mënyra se si do të administrohen zgjedhjet parlamentare të sotme kanë ndikim dhe rëndësi në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në unionin evropian.


16:49 - Vota e diasporës, si do të numërohen zarfet


E drejta e votës i përket 3.7 milionë shqiptarëve. 245 mijë persona votojnë nga diaspora. Vota e diasporës do të numërohet në qarkun nga i cili vjen votuesi. Kjo do të bëjë që të numërohen paralelisht edhe vota e diasporës, edhe e qarkut.


Për zarfet që konstatohen se kanë parregullsi, janë lënë në një  vend të posaçëm të vendosur në kuti që nga pamja e jashtme duken që nuk përputhen me rregulloren e KQZ. Ato janë lënë në një hapësirë të veeçantë për t’u verifikuar nëse gjithçka është në rregull dhe vota është e vlefshme.  Kjo do të mësohet kur të nisë procesi i numërimit të votës.


16:28 - Pjesëmarrja deri në orën 16:00


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 16:00.


Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 16:00 është 36.01%. Kryesojnë qarku i Tiranës, Dibrës, Kukësit dhe Fierit për numrin më të lartë të pjesëmarrjes.


16:19 - Incidenti me Flamur Nokën, KQZ i heq akreditimin vëzhguesve të Vorës


Pas konfliktit midis Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe një qytetari, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka marrë një vendim.


Në mënyrë të menjëhershme, u është hequr akreditimi i të gjithë vëzhguesve për KZAZ-në nr. 27 në Bashkinë Vorë. Përjashtim bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe mediat.


16:10 - Zannier: OSBE/ODIHR ka 240 vëzhgues, të hënën raporti


Shefi i misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR, Lamberto Zannier ndoqi nga afër procesin zgjedhor për zgjedhjet parlamentare në një qendër në njësinë numër 10 në Tiranë, aty ku votimi kryhet në mënyrë elektronike.


Në një prononcim për mediat Zanier tha se pas vëzhgimit të këtij procesi, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë do të japë vlerësimin të hënën me anë të një raporti paraprak mbi ecurinë e zgjedhjeve…


16:00 - Të shtëna me armë zjarri në qendrën e votimit në Fushë Milot


Në qendrën e votimit, në shkollën 9-vjeçare “28 Nëntori” raportohet një konflikt që ka përfunduar në të shtëna me armë zjarri.


Në njoftimin e Policisë së Kurbinit për mediat mësohet se dy qytetarë të identifikuar si K.P., dhe A.Ll., janë konfliktuar verbalisht me njëri tjetrin.


Policia është njoftuar me anë të një telefonate se ka pasur të shtëna me armë zjarri, por në vendngjarja nuk janë gjetur gëzhoja armë zjarri.


15:42 - PS deklaratë zyrtare për zgjedhjet: Vendosni vetë për Shqipërinë që dëshironi


Nga selia e Partisë Socialiste ka një deklaratë zyrtare për procesin e zgjedhjeve. Zëdhënësja e PS për zgjedhjet, Silda Çepe përçoi mesazhin për vlerën e votës sot për të përcaktuar të ardhmen. Ajo theksoi thirrjen ndaj çdo qytetari për të votuar dhe folur përmes votës.


“Të dashur qytetarë,

Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë.


Sot të gjithë ne kemi një mundësi që vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë të familjeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë.


Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë. Përmes saj ju do të vendosni se në ç’drejtim do të ecë Shqipëria jonë. 


Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë: shkoni të votoni. Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, për familjet dhe për fëmijët.


Mos e lini këtë moment historik të kalojë pa zërin tuaj.


11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj.”


15:29 - Pjesëmarrja deri në orën 15:00


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 15:00.


Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 33.09%. Kryesojnë qarku i Tiranës, Dibrës, Kukësit dhe Fierit për numrin më të lartë të pjesëmarrjes.


15:28 - Përplasje në qendrën e votimit në Buçimas, konfliktohen banori e komisioneri


15:12 - Në Yzberisht votohet ndryshe, kontejnerët kthehen në qendra votimi


Në zonën e Yzberishtit, në Tiranë janë vendosur 23 kontejnerë. 


Në Bulevardin e Yzberishtit këta kontejnerë janë qendra votimi, ku qytetarët ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.


Prej tre vitesh në këtë zonë votohet në këta kontejnerë.


14:56 - Goditi anëtarin e qendrës së votimit, arrestohet 63-vjeçari në Pogradec


Një 63-vjeçar në Pogradec është arrestuar pasi ka goditur mëngjesin e sotëm një prej anëtarëve të qendrës së votimit ku ai votonte.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Korçës, shtetasi L.T., goditi 52-vjeçarin E.G., i cili ky i funditishte anëtar i PS-së në qendrën e votimit nr. 3901 në Pogradec. Arsyeja e konfliktit mes tyre vjen pasi e bija e 63-vjeçarit ka pasur një debat me anëtarin e komisionit lidhur me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar, e të tjerë.


Arrestimi i tij u bë për veprat penale ‘Kanosja apo dhunimi për shkak të detyrës’ dhe ‘Goditje për shkak të detyrës’.


14:47 - Voton në ambientet e paraburgimit të Durrësit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ushtruar sot të drejtën e votës në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Ai votoi në orarin e përcaktuar nga administrata e institucionit, në përputhje me rregullat dhe procedurat për votimin e personave që ndodhen në paraburgim.


Pak ditë më parë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Partinë Socialiste. I burgosur pa gjyq, Veliaj u kërkoi qytetarëve që kur të shkojnë për të votuar, të kujtojnë pak si ishte Tirana dhe si është sot…


14:27 - Voton zv/kryeministrja Belinda Balluku: Shqiptarët mos ta çojnë votën dëm


Belinda Balluku, drejtuesja politike e PS për qarkun e Fierit i është drejtuar njërës prej qendrave të votimit. Zëvendëskryeministrja shoqërohet nga djali i saj në shkollën “Janaq Kilica” për të kryer detyrimin qytetar.

Pas kësaj, Balluku doli në një deklaratë për mediat. Fillimisht ajo  falënderoi të gjithë gazetarët dhe u bëri thirrje qytetarëve për të votuar.


14:15 - Pjesëmarrja deri në orën 14:00


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 14:00.


Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 14:00 është 29.59%. Kryesojnë qarku i Tiranës dhe Dibrës për numrin më të lartë të pjesëmarrjes.


13:22 - Berisha thirrje qytetarëve të votojnë: Të gjithë ata që shkelin ligjin do të marrin përgjegjësi


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një deklaratë për media iu ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë ditën e sotme. Berisha në fjalën e tij ka falenderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar, veçanërisht votuesit nga jashtë.


Një falenderim të veçantë kreu i demokratëve shprehu për votuesit nga jashtë të cilët për shkak se nuk kanë mundur të regjistrohen në zgjedhje kanë ardhur në Shqipëri për të ushtruar të drejtën e tyre.


Jam sot për të shprehur një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata qytetarë që deri tani kanë hedhur votën e tyre, duke kryer kështu një detyrim madhor të çdo shqiptari mbi moshën 18-vjeçare, detyrim madhor ndaj vetes, familjes, shoqërisë, Shqipërisë dhe kombit.


13:20 - Silvio Gonzato për zgjedhjet: Mënyra si do organizohen, e rëndësishme për procesin e anëtarësimit në BE


Ambasadori i Bashkimit Evropian për Shqipërinë, Silvio Gonzato, ishte i pranishëm në Durrës, ku dhe vëzhgoi nga afër procesin e votimit në këtë qark.


Ai u shpreh se këto janë zgjedhjet e para të Shqipërisë që pas çeljes së negociatave me unionin evropian, ndaj dhe mbajnë një peshë të rëndësishme. Sigurisht vëzhgimi i këtyre zgjedhjeve është vetëm një pjesë e hallkut të zingjirit, pasi mbetet për t’u parë se çfarë gjetjesh do paraqesë grupi i vëzhgimit të OSBE-ODIHR që është shpërndarë në të gjitha qarqet e Shqipërisë.


Gonzato theksoi se mënyra se si do të organizohen këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.


13:16 - Bllokohet qendra e votimit në Tregan, kërkohet ndërhyrja e Policisë


Një qendër votimi në Qendrën Administrative Tregan të Bashkisë së Elbasanit, është bllokuar nga komisionerët e Partisë Demokratike.


Shkak për këtë problematikë është bërë hyrja e disa personave të panjohur në qendrën e votimit.


Po ashtu bëhet me dije se në qendrën e votimit 2194 është kërkuar edhe ndërhyrja e Policisë.


13:13 - Votohet në burgun e Reçit


Procesi i votimit vijon edhe në burgun e Reçit, i cili është institucion i vuajtjes së dënimit me siguri të lartë. Në të ndodhen 645  të dënuar dhe të paraburgosur. Nga 359 të dënuar, 44 kanë të drejtën e votës. Të paraburgosur janë 286 dhe 213  prej tyre kanë të  drejtë vote. 13 të burgosur të huaj gjithashtu nuk kanë të drejtë vote.


Humbja e të drejtës së votës parashikohet në bazë të ligjit sipas klasifikimit për veprat e rënda penale si gjenocid, krime kundër njerëzimit,vrasje, tortura, marrëdhënie seksuale me të mitur, krime zgjedhore, të dënuar për organizata kriminale, trafik droge etj.


13:02 - Tension në qendrën e votimit në Vorë, Noka përplaset me votuesit: Do të zvarris…


Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përplasur me votuesit në një qendër votimi në Vorë.


Flamur Noka i shoqëruar nga demokratja Albana Vokshi të cilët shprehen me tone të ashpra, shprehje të tilla si ‘do të të zvarris’. Në video dëgjohet që qytetari i kërkon Nokës që të pranojë humbjen.


Ndërkohë në këtë qendër votimi pritet të mbërrijë personalisht edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi për të parë nga afër situatën dhe për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.


13:00 - KQZ: 26.52% pjesëmarrja deri në orën 13:00


12:54 - SPAK regjistron 4 raste për krime zgjedhore në Berat


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar në qarkun e Beratit 4 raste për krime zgjedhore.


Rastet e regjistruara janë për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Kjo vepër penale parashikon dënim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie.

Sakaq, në Berat task-forca e SPAK drejtohet nga prokurori i posaçëm Behar Dibra.


12:40 - Pjesëmarrja deri në orën 12:00


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 12:00.


Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 12:00 është 22.74%.


11:34 - “Në 5% të qendrave të votimit ka pasur tension”, Celibashi: 8% e tyre janë hapur me vonesë


Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë për mediat tregoi problematikat e para, që janë hasur në terren mbi procesin zgjedhor.


Celibashi u shpreh se nga përpunimi i informacioneve rezulton se janë 8% e qendrave të votimit që janë hapur me vonesë. Ndër të tjera kryekomisioneri raporton se janë 5% e qendrave të votimit ku është raportuar se ka pasur tension mes anëtarëve të komisionit, ku situata është stabilizuar me ndërhyrjen e KQZ.

Ilirjan Celibashi e ka quajtur të qetë dhe normal procesin deri në këto momente pavarësisht problematikave në orët e para të mëngjesit.


11:16 - Rama mesazh pas votimit: Ju urojmë një ditë fantastike nga katundi jonë…


Kryesocialisti Edi Rama, pas ushtrimit e të drejtës së votimit, së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Rama, ka ndarë një mesazh të shkurtër në rrjete sociale.


Rama: Ju përshëndet katundi jonë. Ja ku jemi. Ulni duart se është heshtje zgjedhore. Ky është katundi jonë. Unë me katundaren time këtu, ja dhe katundari tjetër këtu, ja dhe katundari tjetër, ja dhe katundari i vogël këtu… Të gjithëve u urojmë një ditë fantastike nga katundi jonë. Surrel quhet.


10:54 - Mangësi e fletëve të votimit në Fier, komisionerët e PD thërrasin policinë


Mungesë e rreth 500 fletë votimi është regjistruar në Fier. Problematika është hasur në shkollën “Konstandin Peto”, në zonën Ferëm, Çlirim në Fier.


Sakaq, në sektorin Seman, komisionerët e Partisë Demokratike kanë kërkuar prezencën e uniformave blu. Pas mbërritjes së policëve, nuk është raportuar për probleme.


10:51 - Zgjedhjet/ KQZ publikon të dhënat, sa ka qenë pjesëmarrja deri në orën 10:00


Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e para sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 Majit deri në orën 10:00.


Sipas asaj që raporton KQZ pjesëmarrja deri në orën 10:00 është 13.13%.


10:49 - I shoqëruar nga bashkëshortja, voton Edi Rama


I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryeministri Edi Rama ka hedhur votën e tij për zgjedhjet parlamentare 2025.


Kryetari i Partisë Socialiste ka votuar në qendrën e votimit “Ymer Lala” në zonën e Surrelit.


Në një prononcim për gazetarët ai respektoi heshtjen zgjedhore, ku u shpreh se tashmë ka mbetur pa u thënë vetëm fjala e popullit.


“Besoj që e vetmja gjë që ka mbetur pa u thënë është fjala e popullit. Kështu që të presim se çfarë do të thotë populli.”


10:35 - Voton kreu i SPAK, Altin Dumani


Kreu i SPAK, Altin Dumani ka ushtruar të drejtën e tij të votës në shkollën “At Zef Pllumi”, në Tiranë.


Dumani nuk ka mbajtur një fjalë për mediat pas procesit të votimit.


10:35 - Fotografoi votën, shoqërohet në polici 56-vjeçarja në Elbasan


Një 56-vjeçare në Elbasan është shoqëruar në Polici.


Policia bën me dije se M.C., 56 vjeç ka fotografuar votën e saj gjatë procesit të votimit në lagjen “5 Maj”.


Ngjarja u vu re nga anëtari i komisionit të qendrës së votimit nr 2321, i cili njoftoi policinë.


10:31 - Voton Berisha: Votoni, kjo do të jetë një ditë e dytë vere


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mbërrin te shkolla “Kosova”,  i shoqëruar nga familjarët.


Ai u paraqit pranë qendrës së votimit me bashkëshorten, Liri Berishën. Ata hynë duke ndjekur procedurat standarde të votimit: kontrollin e emrit në listën e votimit, identifikimin e më pas votimi në hapësirën e fshehtë.


Pasi hodhi votën në kuti, Berisha bëri shenjën e tij të zakonshme me dy gishtat lart.


Në dalje nga qendra e votimit, kryetari i Partisë Demokratike dha edhe një deklaratë për mediat duke u bërë thirrje qytetarëve të votojnë. Ai tha se qytetarët “mezi presin rezultatin” dhe “do të ketë një ditë të dytë vere”.


“Së pari, një thirrje zemre për çdo qytetar shqiptar. Sot të votojë, të votojë, të votojë, të votojë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për pensionet dhe rrogat e tyre, për punën, punësimin, biznesin, fermën e tyre. Të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre në këtë vend. Të votojnë. Unë meqë më pyet, çdo njeri që takova, unë takova njerëz të gëzuar, të sigurt në votën e tyre dhe mezi presin rezultatin. Pra, do të kemi një ditë të dytë vere. Do të kemi një ditë të dytë vere ndaj dhe njëherë thirrja ime votoni, votoni, votoni!”


08:11 - Procesi i votimit në Durrës vijon pa problematika


Sa i përket qarkut të Durrësit, procesi i votimit ka nisur në orën 7:00 në pjesën më të madhe të tyre ndërkohë në një pjesë tjetër më të vogël ka hasur problematika me identifikimin megjithatë problematika është rregulluar në pak minuta.

Qarku i Durrësit është i treti pas Tiranës edhe Fierit për numrin e votuesve.


Procesi i votimit në zonën e plazhit ka nisur 15 minuta me vonesë për shkak të procedurave të fundit nga komisionerët. Momentalisht votimi vijon pa problematika.


8:08 - OSBE/ODIHR monitoron procesin e votimit në Berat


Përfaqësues të OSBE/ODIHR janë larguar pasi kanë monitoruar procesin e votimit në ambientet e “Gjimnazit Babë Dudë Karbunara”, në Berat.


07:48 – Shqipëria zgjedh/ Nis procesi në qarkun e Korçës, për herë të parë votohet nga burgu i grave në Pojskë


Janë hapur të gjitha qendrat e votimit në qarkun e Korçës. Ky qark do të përfaqësohet me 10 deputetë, një më pak se zakonisht, ndërsa votimi është organizuar në 7 KZAZ. 17 mijë zgjedhës më pak do t’i drejtohen sot kutive të votimit.


Në burgun e Drencovës është ngritur një qendër e posaçme votimi sipas vendimit të KQZ. Në lista me të drejtë vote janë 220 persona.


Ndërkohë që për herë të parë do të votojnë edhe nga burgu i grave në Pojskë. Janë gjithsej 36 gra me të drejtë vote, ndërsa nuk është ngritur qendër e posaçme, por votueset do të shoqërohen nga forcat e policisë në qendrën më të afërt në Piskupat.


07:44 – E pazakontë në Vlorë/ Vonesë në hapjen e qendrës së votimit, kryetari i komisionit humb mamanë dhe nuk paraqitet


Sot, më 11 maj, qytetarët shqiptarë votojnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të shpërndara në 12 qarqe të vendit. Ndërsa procesi ka nisur në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, një incident i pazakontë është shënuar në Vlorë.


Në qendrën e votimit nr. 44/71/2, votimi nuk ka nisur ende për shkak të mungesës së komisionerëve. Dy prej tyre janë larguar për arsye familjare, ndërsa raportohet se kryetari i komisionit nuk ka qenë i pranishëm pasi ka humbur mamanë, një ngjarje që ka ndikuar në mosfunksionimin e qendrës.


07:28 – Zgjedhjet e 11 Majit nisin me probleme teknike në Lezhë, vonesa në një qendër votimi


Sot në Shqipëri po zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 majit, ku qytetarët votojnë në 12 qarqe të vendit. Procesi ka nisur në pjesën më të madhe të vendit, por jo pa probleme.


Në qarkun e Lezhës, në një nga qendrat e votimit është raportuar një vonesë në nisjen e procesit. Shkak është bërë një pajisje teknologjike e operatorit, e cila nuk ka funksionuar siç duhet, duke krijuar radhë dhe pritje për qytetarët që kanë mbërritur për të votuar.Komisionerët në vendngjarje po përpiqen të zgjidhin problemin teknik për të vijuar normalisht procesin zgjedhor.


Ndërkohë, në pjesën tjetër të vendit, procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa incidente të mëdha deri në këto momente.


07:19 – Probleme në një qendër votimi në Fier, procesi nuk ka nisur ende, shkak mungesa e kolaudimi i pajisjes së identifikimit


Ndërkohë që procesi i votimit ka nisur thuajse në të gjithë vendit, probleme raportohen në një qendër votimi në Fier.


Anëtarët e komisionit janë të ulur në vendet përkatëse dhe pritet nisja e procesit të votimit.

Në lidhje me këtë problematikë është njoftuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.


07:04 – Shqipëria zgjedh sot/ Nis zyrtarisht procesi i votimit në të gjitha qarqet, votojnë qytetarët e parë


Në zgjedhjet e 11-ta parlamentare që prej vitit 1991, të drejtën e votës sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114,642 të rinj do të votojnë për herë të parë.


Gjithashtu, edhe 3 027 persona, të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale.

Comments


Na kontaktoni:

Faleminderit!

  • White Facebook Icon
  • Instagram

NM Televizion është platforma ku bashkohen mendimet nga kudo: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Ne jemi zëri i çdo individi, duke ofruar informacione të sakta dhe të paanshme në përputhje me sloganin tonë: "No More Fake News".

© 2025 by NM Televizion

bottom of page