PS shpall kandidatët për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki, surprizë emri i Brunilda Mersinit në Vlorë

Partia Socialiste ka zyrtarizuar këtë të martë, më 7 tetor, emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në gjashtë bashki të vendit.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së, e cila zgjati rreth 30 minuta në selinë qendrore të partisë. Pas përfundimit të saj, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, në një deklaratë për mediat, prezantoi listën e kandidatëve të miratuar.
Sipas njoftimit, të gjithë kandidatët janë aktualisht drejtues të komanduar ose kanë përvojë të gjatë në administratën vendore. Emri surprizë i garës është ai i deputetes së qarkut të Vlorës, Brunilda Mersini, e cila do të përfaqësojë PS-në në këtë bashki.
Kandidatët e PS-së në zgjedhjet e pjesshme:
Tepelenë – Gramoz Sako, me karrierë të gjatë ushtarake.
Mat – Altin Bojni, ekonomist dhe drejtues i Shëndetit Publik, aktualisht kryetar i Këshillit Bashkiak.
Cërrik – Florenc Doka, kryetar i komanduar i bashkisë.
Vlorë – Brunilda Mersini, deputete aktuale e PS-së në qarkun e Vlorës.
Berat – Ervin Ceca, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak për gjashtë vite dhe drejtues aktual.
Tiranë – Ogerta Manastirliu, ish-ministre e Arsimit, emër i shpallur më herët nga kryeministri Edi Rama gjatë ristrukturimit të kabinetit qeveritar.
Kujtojmë se më 3 tetor, kryeministri Rama zhvilloi një takim me strukturat e PS-së në Tiranë, ku kërkoi një fitore “historike” në kryeqytet. Në mbledhje morën pjesë ministra, deputetë dhe drejtues të njësive vendore. Synimi i socialistëve, sipas burimeve, është të sigurojnë një rezultat më të thellë se në zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar pas dorëheqjes së kryetarëve, ndërsa në Tiranë, pas vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.





Comments