Presidenti dekreton zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki, përfshirë Tiranën

Presidenti i Republikës ka dekretuar këtë të mërkurë datën 9 nëntor 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik. Ky vendim pason njoftimin e Këshillit të Ministrave, i cili më 30 shtator 2025 i përcolli Presidentit informacionin mbi vakancat e krijuara në këto bashki.
Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, vakancat në Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik u krijuan për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, ndërsa rasti i Tiranës lidhet me shkarkimin e kryebashkiakut nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ky i fundit, me shumicën dërrmuese të votave (50 pro dhe vetëm 1 kundër), miratoi propozimin për shpalljen e vakancës dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në njoftim sqarohet se Presidenti ka shqyrtuar rregullshmërinë e procedurës së ndjekur për Tiranën dhe ka konstatuar se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi të ligjshëm, bazuar në konstatimet e Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Ministrave. Megjithatë, Presidenca nënvizon se në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti nuk gjykon mbi meritat e çështjes, por vetëm zbaton detyrimin kushtetues për shpalljen e zgjedhjeve.
Në aspektin juridik, dokumentacioni shpjegon se shkarkimi i kryebashkiakut për arsye të “mosparaqitjes në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” është një rast i veçantë nga ai i “shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të ligjit” të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës. Për këtë arsye, ky vendim i Këshillit të Ministrave nuk i nënshtrohet juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, por mund të ankimohet vetëm në Gjykatën Administrative, e cila ka të drejtë të vendosë edhe pezullimin e tij.
Nga verifikimi i bërë, Presidenca konstaton se deri në shpalljen e dekretit nuk është regjistruar asnjë ankim në gjykatën kompetente dhe, për pasojë, nuk ekzistonte asnjë vendim pezullimi. Në këtë kuadër, Presidenti ishte i detyruar të shpallte datën e zgjedhjeve brenda afatit 48-orësh që përcakton ligji.
Në përmbyllje, Presidenti i Republikës u bën thirrje forcave politike të zhvillojnë një fushatë të ndershme, etike dhe në respekt të plotë të Kodit Zgjedhor, ndërsa qytetarëve të gjashtë bashkive u kërkon të marrin pjesë masivisht në votime, si shprehje e vullnetit dhe forcës së demokracisë.






Comments