Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës, Elis Halili zgjidhet kryetari i komanduar i Bashkisë së Vlorës

Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës më 10 shtator, Këshilli Bashkiak i Vlorës zgjodhi sot, më 22 shtator 2025, Elis Halilin si kryetar të komanduar të Bashkisë. Halili, inxhinier dhe një prej nënkryetarëve aktualë të bashkisë, u propozua nga anëtarët socialistë të Këshillit.
Mbledhja u zhvillua mes debatesh të ashpra politike. Kryetari i Këshillit të Qarkut, Ervis Mocka, mori fjalën duke paraqitur kandidaturën e Halilit dhe theksoi se fitues do të shpallej kandidati me më shumë vota:
“Duan apo nuk duan demokratët, Elis Halili do të zgjidhet me shumicë votash,” deklaroi ai.
Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, dega Vlorë, Atird Hoxha, kundërshtoi mënyrën e zhvillimit të procedurës, duke kërkuar respektimin e plotë të rregullores. Edhe Klodian Xhyheri nga Partia Mundësia akuzoi shumicën për shkelje të Kushtetutës:
“Sot i erdhi radha Ermalit, nesër mund t’i vijë dikujt prej jush. Mos u gëzoni, por thoni hapur që Kushtetuta po shkelet rëndë.”
Megjithë kundërshtitë, Këshilli votoi në favor të Halilit, i cili tashmë merr drejtimin e përkohshëm të Bashkisë së Vlorës, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme që priten pas disa muajsh.





Comments