Ligj i ri për administratën publike: Firmat kalojnë nga ministrat te drejtorët

Ministrat pritet të çlirohen nga pjesa më e madhe e barrës së përgjegjësisë dhe firmave zyrtare, pasi kompetencat e vendimmarrjes do t’u delegohen drejtorëve të sektorëve përkatës.
Projektligji për ndryshime në funksionimin e administratës shtetërore synon të zhvendosë përgjegjësinë e vendimmarrjes nga niveli i ministrit dhe sekretarit të përgjithshëm drejt strukturave të mesme menaxheriale, përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe ose kur vetë ministri apo sekretari i përgjithshëm vendosin të mbajnë përgjegjësinë me shkrim.
“Objektivi është transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm, i shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë dhe lehtësimin e ngarkesës mbi ministrin dhe sekretarin e përgjithshëm. Qëllimi është përmirësimi i punës së institucioneve, rritja e efiçencës, cilësisë së vendimmarrjes dhe kontrollit hierarkik. Nëpunësi i drejtorisë përgatit vendimin, ndërsa drejtori e miraton ose merr një vendim ndryshe”, – thuhet në relacionin e Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.
Në këtë kuadër, administrata publike pritet të ristrukturohet, duke rritur llogaridhënien e institucioneve të varësisë, si pjesë e kërkesave për procesin e integrimit në Bashkimin Europian.
Projektligji thekson gjithashtu nevojën për rikonceptimin e tipologjisë institucionale, duke ndjekur praktikat ndërkombëtare dhe përafrimin me legjislacionin e BE-së. Analizat e bëra për Shqipërinë sugjerojnë që autoritetet e pavarura rregullatore të mos raportojnë drejtpërdrejt në Parlament. Kështu, nga tre kategori të deritanishme joministrore, do të mbeten dy: në të parën përfshihen institucionet e varësisë dhe agjencitë autonome, ndërsa në të dytën parashikohet një rikonceptim i autoriteteve dhe enteve rregullatore, të cilat do të kalojnë nën mbikëqyrjen e ministrive përkatëse.
Sipas dokumentit, “mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë sjell problematika në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizim të përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave, si dhe krijon vakum në llogaridhënien shtetërore”.
Një tjetër synim i projektligjit është edhe lehtësimi i Kryeministrit nga mbingarkesa e institucioneve të varësisë direkte, të cilat do të kalojnë nën përgjegjësinë e ministrive respektive.





Comments