Kuvendi i ri nis punimet më 12 shtator, Begaj apelon për dialog dhe përgjegjësi

Kuvendi i ri, i dalë nga zgjedhjet e 11 majit, do të nisë punimet më 12 shtator, në orën 10:00. Presidenti Bajram Begaj, duke dekretuar datën, theksoi se Kuvendi është simbol i demokracisë dhe hapësira ku duhet të dëgjohen e respektohen të gjithë zërat e shqiptarëve. Ai nënvizoi se legjislatura e re mban mbi vete përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, forcimit të rolit ligjvënës, mbikëqyrjes së qeverisjes dhe vendimmarrjes në shërbim të qytetarëve.
Begaj bëri thirrje për një mazhorancë të përgjegjshme dhe një opozitë aktive e konstruktive, duke shtuar se “dialogu dhe respekti për dallimet janë themeli i bashkëjetesës demokratike”.
Një ditë më herët, më 11 shtator, Partia Socialiste do të zhvillojë Asamblenë Kombëtare, ku Kryeministri Edi Rama pritet të shpallë përbërjen e qeverisë së re.
Në seancën e parë të Kuvendit, sipas rregullores, drejtimin e merr deputeti më i vjetër, që në këtë rast është Sali Berisha. Por ai e ka refuzuar këtë rol, duke deklaruar se nuk do ta bëjë. Pas tij, radha i kalon Tritan Shehut, gjithashtu nga opozita, ndërsa mbetet e paqartë nëse do ta pranojë. Pas hapjes, Kuvendi do të vijojë me verifikimin e mandateve dhe betimin e 140 deputetëve të rinj.
Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të ketë 83 deputetë, Partia Demokratike me aleatët 50, Partia Socialdemokrate 3, Partia Mundësia e Agron Shehajt 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një deputet secila.





Comments