top of page
Writer's pictureNM Televizion

Himara voton për kryebashkiakun e ri, Tavo dhe Gjikuria në garë


Himara voton sot për të zgjedhur kryebashkiakun. Në garë përballë njëri-tjetrit do të jenë socialisti Vangjel Tavo dhe përfaqësuesi i opozitës Petro Gjikuria.


Procesi i votimit është hapur në orën 7:00 dhe pritet të mbyllet në orën 19:00 të mbrëmjes.


23 mijë e 74 qytetarë me të drejtë vote janë thirrur për të shprehur vullnetin e tyre në 36 qendra votimi.


Zgjedhjet në Himarë mbahen për shkak të dënimit me 2 vjet burg të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri për blerje votash.


19:20, 4 Gusht 2024


Mbyllet votimi në Himarë

Votimet në Himarë janë mbyllur në orën 19:00. Sipas raportit të KQZ-së, deri në orën 18:00 kanë votuar 8394 qytetarë nga 23.074 në 36 qendra votimi. Në përqindje, kjo shprehet në 36.38%.


17:59, 4 Gusht 2024


Pjesëmarrja deri në orën 17:00 – 34.13%


Pjesëmarrja në votime raportuar nga 36 qendra votimi (36 janë në total):


Deri në orën 16:00 kanë votuar 7875 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 34.13%.


17:22, 4 Gusht 2024


Pjesëmarrja deri në orën 16:00 – 32.21%


Pjesëmarrja në votime raportuar nga 36 qendra votimi (36 janë në total):


Deri në orën 16:00 kanë votuar 7433 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 32.21%.



16:06, 4 Gusht 2024


Pjesëmarrja deri në orën 15:00 – 30.44 %


Pjesëmarrja në votime raportuar nga 35 qendra votimi (36 janë në total):


Deri në orën 15:00 kanë votuar 6912 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 30.44 %.


15:20, 4 Gusht 2024


“Mbi 600 qytetarëve me ID të skaduar iu privua e drejta për të votuar“, Dule: 311 zgjedhës u shtuan në lista


Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule pretendon se janë shtuar në mënyrë artificiale 311 zgjedhës në listat e votimit për zgjedhjet e sotme për kryebashkiak të Himarës.


Vangjel Dule: Që para nisjes së fushatës zgjedhore, kandidati i mazhorancës me zë dhe figurë pohoi publikisht se ka transferuar gjendjen civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë të Himarës me qëllim që të mbrojë votën e tij. Janë gjithsej 311 zgjedhës që janë shtuar në listat e zgjedhjeve të sotme, krahasuar me listat e zgjedhjeve të Majit 2023. Është shtuar në mënyrë artificiale me 311 zgjedhës, nga të cilët 93 ka indicie se janë regjistruar, ose kanë transferuar gjendjen civile edhe përtej kohës. Nuk kemi asnjë veprim nga ana e SPAK.


Më tej, gjatë prononcimit të tij për mediat, Dule shprehet se në këto zgjedhje janë mbi 25% e zgjedhësve që u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që ju ka kaluar data e skadencës. Dule shton se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar që të votojnë.


Vangjel Dule: Në këto zgjedhje, plot 6 mijë e 157 zgjedhës nga gjithsej 23 mijë e 74 zgjedhës, mbi 25 % u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit nga qeveria për të votuar me karta identiteti apo pasaporta që ka kaluar data e skadencës. Shifrat tona tregojnë se janë mbi 600 qytetarë që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe u është refuzuar në procesin zgjedhor. Duke qenë i njëjti mandat, nuk duhej vendim i ri për të ju dhënë zgjedhësve mundësinë për të marrë pjesën në votime. Me 311 zgjedhës të importuar në Himarë nga Tavo, plus 600 zgjedhës që deri tani ju është privuar e drejta e votimit, kandidati i PS ka hyrë me plus 1 mijë vota, krahasuar me atë të opozitës.


Dule e ka quajtur procesin e votimit të sotëm në Himarë “kufomë të zgjedhjeve të lira në Shqipëri”, të cilës ka thënë se do i bëjnë autopsinë.


14:59, 4 Gusht 2024


Dule: Himara nesër do të zgjohet me 2 kryebashkiakë të rinj


Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule është shprehur se Himara nesër do të zgjohet me 2 kryebashkiakë të zgjedhur. Në një prononcim për mediat, Dule ka thënë se mandati i Fredi Belerit akoma nuk i është ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë.


Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule: Ende nuk ka një vendim të formës së prepë në lidhje me kushtetueshmërinë e këtij dekreti. Së dyti, Himara nesër do të zgjohet me 2 kryebashkiakë të zgjedhur. Mandati i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerit nuk është i ndërprerë konform ligjit dhe me vendim të formës së prerë.


Është për t’u gjykuar në KAS ankimimi i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe njëkohësisht dhe i Belerit. Ankimime të depozituara konform ligjit brenda hapësirës kohore të 30 ditëve që parashikon ligji dhe procedura.


13:55, 4 Gusht 2024


Pjesëmarrja deri në orën 13:00 – 25.59 %


Pjesëmarrja në votime raportuar nga 32 qendra votimi (36 janë në total):


Deri në orën 12:00 kanë votuar 5366 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 25.59 %.


13:26, 4 Gusht 2024


Celibashi: Procesi i numërimit mund të përfundojë orët e para të mëngjesit


Ditën e sotme, qytetarët në Himarë u janë drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e ri. Në një prononcim për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se procesi i numërimit pritet që të përfundojë orët e para të mëngjesit. Megjithatë, ai shtoi se e rëndësishme është që të respektohet afati ligjor, pra ora 22:00 e ditës së nesërme.


13:04, 4 Gusht 2024

“6 mijë zgjedhës në Himarë me ID të skaduara”, Celibashi: Nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar


Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë një prononcim për mediat në lidhje me procesin e votimit të Bashkinë Himarë. Gjatë fjalës së tij, Celibashi ka thënë se nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6 mijë votues për shkak të kartave të identitetit të skaduara.


Ilirjan Celibashi: Nuk është përgjegjësi e KQZ-së privimi nga e drejta për të votuar për 6000 votues për shkak të ID të skaduara. Një zgjedhës që shkon për të votuar, do të duhet të shikojë dokumentin e identifikimit. Ti po shkon dhe gjëja e parë identifikon se e ke apo nuk e ke mjetin e identifikimit. Votuesit do të duhet të respektojnë kërkesat e ligjit.


Më tej, Celibashi ka thënë se në përgjithësi procesi ka shkuar qetë, teksa ka evidentuar dhe 2 raste ku ka pasur problematika.


Ilirjan Celibashi: Në përgjithësi, procesi ka shkuar qetë. Ka pasur raste ku janë evidentuar problematika. Ne kemi raportime për një qendër ku ka pasur persona të paautorizuar dhe mbanin shënim personat që hynin për të votuar. Kanë ndërhyrë komisionerët dhe kjo situatë është zgjedhur. Një incident në Lukovë me përfaqësues të mediave që nuk janë lejuar të hynin në qendrat e votimit. Në Shqipëri është e lejuar. Nëse ndonjëri nga komisionerët nuk ndihet komod, i lirë të lërë detyrën. Nëse komisionerët mbajnë këtë qëndrim, do të thotë se kanë llogaritur dhe pasojat.


11:20, 4 Gusht 2024

Gjikuria i bindur: Unë do të jem kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë


Kandidati i opozitës Petro Gjikuria thotë me bindje se ai do të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë. Në një prononcim për mediat, Gjikuria u bën thirrje zgjedhësve që t’u drejtohen kutive të votimit.


Petro Gjikuria: Kjo është një ditë feste, le ta festojmë të gjithë bashkë. Është dita e demokracisë, uroj të gjithë bashkëfshatarët e mi të shkojnë në kutitë e votimit, të votojnë, të fitojë më i miri, të fitojë demokracia. Unë do të jem kryetari i ardhshëm i Bashkisë Himarë.

Në lidhje me problemin e qytetarëve, të cilët nuk janë lejuar të votojnë për shkak të kartave të identitetit të skaduara, Gjikuria thotë se është problem, teksa pretendon se zgjedhësve socialistë u kanë dhënë kartat brenda 24 orëve, ndërsa atyre të opozitës për 2 javë.


Petro GjikuriaVitin e kaluar u lanë njerëzit të votonin me karta të skaduara, kurse këtë herë nuk u lanë të votonin edhe ky është një problem se edhe trajtimi i qytetarëve në Bashkinë e Himarës, socialistëve u jepnin karta brenda 24 orëve, kurse anës tjetër u thoshin “për 2 javë”. Nuk mendoj se do të ndikojë në rezultat, do të jetë një rezultat i mirë. Koalicioni “Bashkë Fitojmë do të fitojë, do të fitojë demokracia. Këtu i bëjnë ligjet si të duan vetë.


10:53, 4 Gusht 2024

Pjesëmarrja deri në orën 10:00 – 12.44%

Pjesëmarrja në votime raportuar nga 34 qendra votimi (36 janë në total):


Deri në orën 10:00 kanë votuar 2770 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 12.09 %.


10:38, 4 Gusht 2024

Tavo thirrje banorëve: Dilni masivisht në votime, zgjidhni projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën


Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë Himarë, Vangjel Tavo ka votuar ditën e sotme në qendrën në Palasë. Pas votimit, Tavo ka thënë se ditën e sotme e kanë fjalën himariotët për të votuar teksa ka shtuar se procesi deri më tani ka qenë i qetë.


Me urimin që procesi i votimit të shkojë ashtu si ka nisur, Tavo i ka bërë thirrje zgjedhësve që të dalin masivisht për të votuar për atë që ka thënë se është projekti dhe alternativa më të mirë për Himarën.


Vangjel Tavo: Sot e kanë fjalën Himara dhe himariotët për të votuar. Procesi deri tani ka qenë shumë i qetë. Uroj që ky proces të vijojë kështu sikurse ka mbizotëruar dhe gjatë fushatës elektorale. I bëj thirrje të gjithë banorëve të dalin masivisht në votime, të votojnë projektin dhe alternativën më të mirë për Himarën.


I pyetur në lidhje me moslejimin e rreth 200 zgjedhësve për të votuar në Himarë fshat për shkak të skadimit të kartave të tyre të identitetit, Tavo ka thënë se kjo është çështje e ligjit, për të cilën nuk preferuar të japë koment.


10:33, 4 Gusht 2024

Zgjedhjet në Himarë: Kandidati i PS, Vangjel Tavo voton në Palasë


10:07, 4 Gusht 2024

Himarë fshat: Rreth 200 qytetarë nuk lejohen të votojnë, shkaku kartat e identitetit të skaduara


Rreth 200 qytetarë janë paraqitur të votojnë me karta identiteti të skaduar në Himarë fshat, por nuk janë lejuar nga ana e komisionerëve. Me përjashtim të këtij rasti, votimi në qendrat e Himarës po vijon normalisht dhe pa probleme.


9:51, 4 Gusht 2024

Pjesëmarrja deri në orën 09:00 në votime: 6.53%

Pjesëmarrja në votime raportuar nga 30 qendra votimi (36 që janë në total):


Deri në orën 09:00 kanë votuar 1307 qytetarë, ose përkthyer në përqindje, 6.53%.


9:45, 4 Gusht 2024

KQZ: Procesi po ecën normalisht, 36 qendrat e votimit të hapura deri në 19:00


Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.


Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.


Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika. Të 36 qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00, në mënyrë që qytetarët e Himarës të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.


8:10, 4 Gusht 2024

Procesi i votimit vijon rregullisht në të gjitha qendrat


Procesi i votimit për zgjedhjen e kryebashkiakut të Himarës ka vijuar rregullisht në të gjitha qendrat. Deri në këto momente nuk janë ndeshur problematika në lidhje me identifikimin elektronik të zgjedhësve.


Rreth orës 10:00 pritet që kandidati socialist, Vangjel Tavo të votojë në Palasë, ndërsa kandidati i opozitës, Petro Gjikuria në Dhërmi.


Është vënë re interes edhe nga emigrantët që jetojnë në Greqi, të cilët kanë ardhur në Shqipëri për të zgjedhur kryebashkiakun.


7:05, 4 Gusht 2024

Përfundon dorëzimi i objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi


Punonjësit e Policisë gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e Qendrave të Votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.


Të gjitha objektet zgjedhore që do të shërbejnë si Qendra Votimi, të cilat ishin marrë në ruajtje nga shërbimet e Policisë janë dorëzuar në rregull dhe pa probleme mëngjesin e sotëm, nga ana e punonjësve të Policisë, dhe janë marrë në dorëzim nga komisonet përkatëse.


Punonjësit e Policisë, pas dorëzimit të qendrave të votimit janë grumbulluar në ambientet e përcaktuara për punonjësit e Policisë, ku do të qëndrojnë të gatshëm për të ndërhyrë në rast se nga ana e komisioneve të votimit kërkohet ndihma e Policisë.


7:00, 4 Gusht 2024

Himara zgjedh sot kryebashkiakun!

4 views0 comments

Comments


bottom of page