Përgjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit (Maqedonia Veriore), presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase. Edhe pse rrethanat e plota ende janë të paqarta, rasti po cilësohet si një skandal dhe shkelje e imunitetit diplomatik.
Gjithçka besohet që ndodhi për shkak të telefonit të presidentes Osmani, edhe pse autoritetet e dy vendeve dhanë qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën me lidhje me këtë çështje.
Rrëfimi i stafit të afërt të presidentes thotë se: Sigurimi i aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani. Përveç saj, thonë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës. Më pas për të hapur rrugën kishte reaguar Policia.
“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë” – thuhet, duke shtuar se ishte tentuar t’i merrej telefoni në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Edhe pse specifikisht në Konventën e Vjenës të vitit 1961 nuk përmendet telefoni, por për çantën diplomatike shkruan se ka imunitet diplomatik nga kontrolli për sa kohë është e shënuar nga jashtë për të treguar statusin e saj, sipas nenit 27.
Sipas këtij neni, çanta diplomatike mund të përmbajë vetëm dokumente diplomatike ose artikuj të destinuar për përdorim zyrtar.
Se a kishte dërguar Ambasada e Kosovës në Shkup notë verbale paraprakisht siç është praktika për udhëtime të krerëve për vizita jashtë vendit, nga Presidenca thanë po, ndërsa Ministria e Jashtme nuk është përgjigjur.
Ndryshe nga autoritetet kosovare, pala maqedonase fajin ja ka hedhur palës kosovare.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”- shkruhet në reagimin e Ministrisë.
Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.
Sipas Ministrisë, në të njëjtën kohë polici ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare dhe është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Kompania TAV, thonë se kanë respektuar rregullat, gjegjësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacioni t’i nënshtrohet kontrollit standard në aeroport.
Ata kanë hudhur poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin e presidentes, pasiqë në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
Comments