Begaj dekreton Ramën si kryeministër, do të ushtrojë edhe përgjegjësitë për funksionimin e ministres virtuale Diella

Presidenti Bajram Begaj ka mandatuar këtë të premte, më 12 shtator, Edi Ramën për herë të katërt si kryeministër të vendit. Pas përfundimit të pjesës së parë të seancës së parë plenare të Kuvendit të ri, Rama mbërriti në Presidencë për të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, sipas protokollit. Edhe pse takimi i tij me Presidentin pritej të ishte i shkurtër, ai zgjati rreth 1 orë e 10 minuta.
Rama do të ketë tani përgjegjësinë e ngritjes së kabinetit të ri, ku për herë të parë përfshihet edhe një ministre virtuale e Inteligjencës Artificiale, e quajtur Diella. Ajo do të drejtojë Prokurimet Publike, duke u bërë ministrja e parë digjitale jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë – një risi që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
“Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella””, thuhet në dekret.
Procedurat kërkuan që emri i kryeministrit të propozohej fillimisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe më pas të mandatohej nga Presidenti. Pas këtij hapi, kryeministri i propozon Presidentit emrat e kabinetit, gjë që Rama e ka bërë sot. Presidenti ka 6 ditë kohë për të dekretuar secilin ministër individualisht, ndërsa kabineti do të duhet më pas të marrë votëbesimin e Parlamentit dhe të bëjë betimin.
Seanca e parë e Kuvendit të ri
Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 11 majit u mblodh sot për herë të parë, nën drejtimin e deputetit më të vjetër, Vasil Llajo, i cili pranoi të ushtronte këtë funksion pasi Sali Berisha dhe Tritan Shehu refuzuan. Në këtë seancë, me votat e mazhorancës u ngrit komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, ndërsa seanca do të vijojë pasdite në orën 17:00.
Në legjislaturën e re, Partia Socialiste do të ketë 83 deputetë, Partia Demokratike 50, Partia Socialdemokrate 3, Mundësia 2, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga 1 mandat secila.
Kuvendi i ri do të drejtohet nga Niko Peleshi, i propozuar nga Rama gjatë Asamblesë së PS-së një ditë më parë, ku kryeministri prezantoi edhe kabinetin e ri me 17 ministra dhe ministre, mes tyre edhe figurën virtuale Diella.
Dekreti:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
D E K R E T
PËR EMËRIMIN E KRYEMINISTRIT
Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 96, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti që ka shumicën e vendeve në Kuvend,
D E K R E T O J:
Neni 1
Zoti Edi Rama emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale “Diella”.
Neni 3
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Dekret nr. 331
Tiranë, më 12.9.2025
PRESIDENT I REPUBLIKËS
BAJRAM BEGAJ





Comments