top of page
image00001.png

Bashkimi Europian miraton hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave me Shqipërinë


ree

Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian kanë miratuar unanimisht të mërkurën, më 23 korrik, hapjen e negociatave për grupkapitullin e pestë me Shqipërinë, që përfshin fushat e Bujqësisë dhe Kohezionit. Ky përfaqëson edhe kapitullin e fundit të negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në BE.


Në lidhje me këtë zhvillim të rëndësishëm, kryeministri Edi Rama reagoi në Facebook, ku shkroi se “Shqipëria nuk ndalet”.


Në fillim të muajit shtator pritet të mbahet edhe konferenca e gjashtë ndërqeveritare, e cila do të formalizojë hapjen e të gjithë kapitujve, me synimin për një anëtarësim të plotë të Shqipërisë në vitin 2030.


Gjatë konferencës së shtatorit do të diskutohet edhe grupkapitulli i katërt, që ka të bëjë me Axhendën e Gjelbër dhe Lidhshmërinë e Qëndrueshme.


Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë që gjatë muajit qershor të dorëzojë pozicionin negociues për këtë grup. Ky kapitull përfshin fusha si transporti, rrjetet trans-evropiane, infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, si dhe aspektet që lidhen me sigurinë. Gjithashtu trajtohen çështje të energjisë, mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.


Në fillim të këtij muaji, komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka vlerësuar në mënyrë të veçantë progresin që po bën Shqipëria përsa i përket reformave të integrimit. Ajo është shprehur e bindur se të gjithë grup-kapitujt do të jenë të hapur deri në vjeshtë.


“Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grup-kapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grup-kapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grup-kapitullit të fundit në vjeshtë.” – ishin fjalët e Kos në Samitin e mbajtur në Shkup.


Nga ana e tij, kryeministri Rama ka theksuar vazhdimisht bindjen e tij se anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade është i arritshëm dhe i merituar.


Qeveria që ai drejton synon përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

Kommentarer


Na kontaktoni:

Faleminderit!

  • White Facebook Icon
  • Instagram

NM Televizion është platforma ku bashkohen mendimet nga kudo: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Ne jemi zëri i çdo individi, duke ofruar informacione të sakta dhe të paanshme në përputhje me sloganin tonë: "No More Fake News".

© 2025 by NM Televizion

bottom of page