top of page
image00001.png

Tragjedi në Gjykatën e Apelit: Gjyqtari Astrit Kalaja qëllohet për vdekje me armë zjarri

Oct 6, 2025
1 min read

Një ngjarje e rëndë ka tronditur këtë të hënë Tiranën, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Astrit Kalaja, ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga 30-vjeçari Elvis Shkambi.


Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore, ku autori arriti të hynte i armatosur në sallë dhe qëlloi drejt gjyqtarit, duke e plagosur rëndë në kraharor. Kalaja u transportua menjëherë në spital, por mbërriti pa shenja jete.


Gjatë të shtënave, dy persona të tjerë, babë e bir — Rakip Kurtaj, 65 vjeç, dhe Ervis Kurtaj, 45 vjeç — mbetën të plagosur. Fatmirësisht, ata janë jashtë rrezikut për jetën, me plagë të lehta në trup dhe duar.


Autori Elvis Shkambi u neutralizua dhe u arrestua menjëherë nga forcat e sigurisë, ndërsa arma e krimit u sekuestrua. Në dëshminë e tij të parë, ai ka deklaruar se “i ishte bërë padrejtësi në procesin gjyqësor”.


Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si Shkambi arriti të kalonte barrierat e sigurisë dhe kontrollin me detektor metalik në ambientet e Gjykatës së Apelit.


Kush ishte gjyqtari Astrit Kalaja:

Lindur në Shkodër, ai u diplomua në vitin 1993 në Fakultetin e Drejtësisë dhe menjëherë pas studimeve nisi punën si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej shtatë vitesh ishte anëtar i Gjykatës së Apelit, ndërsa kishte plot 18 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë. Në dhjetor të vitit 2019, ai u rishpall i konfirmuar në detyrë pas procesit të Vettingut.


Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur motivet e sakta të kësaj vrasjeje që ka tronditur opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë në vend.

Comments


Na kontaktoni:

Faleminderit!

  • White Facebook Icon
  • Instagram

NM Televizion është platforma ku bashkohen mendimet nga kudo: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare. Ne jemi zëri i çdo individi, duke ofruar informacione të sakta dhe të paanshme në përputhje me sloganin tonë: "No More Fake News".

© 2025 by NM Televizion

bottom of page