Nesër nis viti i ri shkollor: 345 mijë nxënës rikthehen në bankat e shkollës

Nesër hapet zyrtarisht viti i ri shkollor në të gjithë vendin, ku mbi 345 mijë nxënës do të rikthehen në bankat e shkollës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, këtë vit janë në dispozicion 31 mijë mësues, ndërsa është shtuar edhe mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara: 2,260 mësues ndihmës do të jenë në terren, 150 më shumë se vitin e kaluar. Gjithashtu, 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues do të përfitojnë transport falas, ndërsa 3,500 bursa do të shpërndahen për familjet që kanë nevojë për mbështetje ekonomike.
Librat shkollorë janë shpërndarë falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë në të nëntë dhe për disa kategori përfituese nga klasa e dhjetë në të dymbëdhjetë.
Ndërkohë, situata në Korçë është më shqetësuese: këtë vit janë regjistruar 3,726 nxënës më pak krahasuar me vitin e kaluar, duke e ulur numrin nga 21,080 në 17,354. Për pasojë, disa shkolla janë bashkuar, ndërsa dhjetëra klasa të para nuk janë hapur për mungesë regjistrimesh. Sipas sindikatës së mësuesve, kjo rënie me gati një të katërtën e numrit të nxënësve është një sinjal alarmi për sistemin arsimor.
Reduktimi i nxënësve ka prekur edhe mësuesit, nga të cilët një pjesë rrezikon të mbetet pa ngarkesë mësimore dhe pritet të angazhohet si mësues ndihmës ose në programe pas shkollore.





Comments