Shqipëria në zi për Dhimitër Anagnostin: e marta ditë zie kombëtare

Këshilli i Ministrave ka shpallur të martën, më 2 shtator 2025, ditë zie kombëtare në nderim të Dhimitër Anagnostit, mjeshtrit të kinematografisë shqiptare dhe figurës së shquar të artit skenik.
Në këtë kuadër, flamujt në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë, ndërsa homazhet dhe ceremonia shtetërore do të zhvillohen në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nga ora 10:00 deri në 13:00. Në të njëjtën orë do të mbahet edhe një minutë heshtje në nder të tij.
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, i drejtuar nga Kryeministri dhe i përbërë nga ministrat e linjës, drejtues të protokollit, policisë dhe gardës, përfaqësues të Bashkisë së Tiranës si edhe të kabinetit të Kryeministrit.
Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një nga personalitetet më të respektuara të artit shqiptar, me një vepër të pasur që mbetet trashëgimi e çmuar për gjeneratat që vijnë.





Comments