top of page
Writer's pictureNM Televizion

Ministri Hoxha: Ndryshime në të gjithë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit


Ervin Hoxha zhvilloi sot një takim me drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxha informoi trupat e Policisë së Shtetit dhe opinionin publik për fillimin e një faze të re drejt Shqipërisë 2030.


Ai theksoi se, në përputhje me ligjin e ri për Policinë e Shtetit, po hapet konkursi për postin më të lartë drejtues të policisë, që do të pasohet nga një proces meritokratik për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të strukturave të larta të Policisë.


Hoxha, duke kujtuar punën e filluar 30 ditë më parë që prej marrjes së detyrës, shpjegoi se po punohet intensivisht me ekipin drejtues të Ministrisë së Brendshme për të përcaktuar strategjinë e re drejt vizionit të Shqipërisë 2030.


“Progresi i dekadës së fundit ka qenë i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh situatën kritike ku ndodhej Policia e Shtetit dhjetë vite më parë. Policia jonë përballej me mungesë pagese, ushqimi, veshje dhe mbështetje teknike, ndërsa në momentet më të vështira ndiheshin të tradhtuar," tha Hoxha.


Ministri përmendi gjithashtu se, në të kaluarën, rënia në detyrë e policëve ishte një gjë e zakonshme, ndërsa mesatarja vjetore e vrasjeve në Shqipëri kalonte shifrën 100. Sot, ambicia për Policinë e Shtetit deri në vitin 2030 është të jetë në nivelin e trupave të Bashkimit Europian, duke ulur krimin dhe përmirësuar shërbimet policore.


Ai falenderoi drejtuesit aktualë për punën e tyre dhe theksoi se tani është koha për një brez të ri drejtuesish, që do të vazhdojnë mbi bazën e arritjeve të deritanishme dhe do të çojnë Policinë në nivele më të larta.


Duke iu drejtuar me optimizëm për të ardhmen, Hoxha vlerësoi reformën ligjore të Policisë së Shtetit, të miratuar së fundmi, si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe forcimit të trupës së policisë. Ai përfundoi duke shprehur besimin se procesi i përzgjedhjes së drejtuesve të rinj do të bazohet ekskluzivisht në meritë dhe integritet.


Pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut si drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hoxha e falenderoi për punën e tij dhe tha se ka ardhur dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish.


Ministri Ervin Hoxha: Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit.


Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.

Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030.

3 views0 comments

Comments


bottom of page